Vlerat Tona Themelore
Zbuloni propozimet tona thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të re.
Log in and get approved to show your agreement with our core values.
1. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI DEMOKRATIKE
Ne besojmë se demokracia është forma më e drejtë dhe më legjitime e organizimit të shtetit. Sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet prej tij nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe periodike, institucioneve të pavarura dhe respektimit të shtetit të së drejtës. Ne mbrojmë pluralizmin politik, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, lirinë e shprehjes dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në jetën publike.
2. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI LAIKE
Ne besojmë në një shtet neutral ndaj besimeve fetare, i cili garanton lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë për çdo qytetar. Besimi fetar êshtë një e drejte individuale, por deri në kufijtë e sferës publike. Vendimmarrja publike duhet të mbështetet mbi Kushtetutën, ligjet tokësore dhe jo hyjnore, shkencën dhe interesin publik, duke ruajtur ndarjen e qartë ndërmjet shtetit dhe institucioneve fetare.
3. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI EUROPIANE
Ne besojmë se e ardhmja e Shqipërisë është e pandashme nga familja evropiane. Mbështesim pa mëdyshje integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, jo vetëm si një objektiv politik, por si një angazhim për të ndërtuar institucione të forta, ekonomi konkurruese, drejtësi të pavarur dhe standarde të larta demokratike. Evropa përfaqëson hapësirën natyrore të zhvillimit të Shqipërisë.
4. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI TË DREJTË
Ne besojmë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe e barabartë për të gjithë. Lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe llogaridhënia janë kushte të domosdoshme për ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj shtetit.
5. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI HUMANISTE
Ne vendosim dinjitetin njerëzor në qendër të politikës. Mbrojmë të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi, pa dallim gjinie, moshe, origjine, bindjeje apo statusi social. Besojmë në bashkëpunimin ndërkombëtar, dialogun, paqen dhe solidaritetin si vlera që forcojnë zhvillimin e Shqipërisë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
6. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI TË GJELBËR DHE TË QËNDRUESHME
Ne besojmë se mbrojtja e mjedisit është detyrim ndaj brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Angazhohemi për mbrojtjen e pyjeve, lumenjve, brigjeve, biodiversitetit dhe burimeve natyrore, për luftën kundër ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, si dhe për zhvillimin e një ekonomie të gjelbër që krijon mirëqenie pa dëmtuar ekosistemin. Zhvillimi ekonomik duhet të jetë gjithmonë i qëndrueshëm dhe në harmoni me natyrën.
7. NE JEMI PËR NJË SHQIPËRI TË MERITËS DHE MUNDËSIVE
Ne besojmë se suksesi duhet të ndërtohet mbi meritën, aftësinë dhe punën e ndershme. Çdo qytetar duhet të ketë mundësi të barabarta për arsim cilësor, punësim, sipërmarrje dhe zhvillim profesional, pa privilegje, nepotizëm apo diskriminim.